foto nga VCG
Komiteti Olimpik dhe Paralimpik i Tokios bëri të ditur të hënën se nuk do të lejojë vullnetarë të huaj në Japoni këtë verë të marrin pjesë në Olimpiadën e shtyrë, si një masë paraprake për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Në një konferencë shtypi të hënën, kryezyrtari ekzekutiv i "Tokio 2020" Toshiro Muto tha se vendimi ishte për të ardhur keq, por organizatorët donin të vendosnin tani, me qëllim që të mos krijohej pështjellim te të huajt që ishin në pritje të një vendimi.
Si në çdo veprimtari sportive ndërkombëtare, vullnetarët luajnë një rol të domosdoshëm për mbarëvajtjen e Lojërave.
Para se pandemia të detyronte shtyrjen një vit të Lojërave, të huajt përbënin afërsisht 10 për qind të 80 000 vullnetarëve.
Sidoqoftë, pandemia i detyroi organizatorët ta ndryshonin planin fillestar dhe vendimi për këtë çështje ishte i njëjtë me njoftimin e tyre të së shtunës për të ndaluar të gjithë shikuesit e huaj të shkojnë në Japoni për të ndjekur Olimpiadën.
"Pra, duke marrë parasysh atë vendim, ne gjithashtu kemi vendosur që nuk do të jemi në gjendje të lejojmë vullnetarë nga jashtë të vijnë në Japoni këtë verë për të marrë pjesë në Lojërat," tha Muto.