Foto nga VCG
Pandemia Covid-19 pati një ndikim të madh për sportin në Kinë gjatë vitit 2020, kur pothuajse të gjitha ngjarjet kryesore sportive kombëtare dhe ndërkombëtare u shtynë ose anuluan dhe kompanitë e industrisë u përballën me kohë vërtet të vështira. Në gusht, kompania më e madhe e veshjeve sportive të Kinës, “Anta Sports”, njoftoi se kishte regjistruar 14.669 miliardë juanë (2.12 miliardë dollarë) të ardhura në gjysmën e parë të vitit 2020, me 1% më pak në bazë vjetore për shkak të pandemisë, shkruan “Xinhua”.
Sidoqoftë, në gjysmën e dytë të vitit 2020, situata u përmirësua më shumë sesa pritej. Në nëntor, “Anta Sports” njoftoi se mblodhi 2.84 miliardë juanë nga platformat e saj të tregtisë elektronike nga shitjet e “Ditës së Beqarëve”, 53% më shumë se vitin e kaluar.
“Ndërsa Kina ka bërë një punë të jashtëzakonshme në luftën kundër pandemisë, ne mbetemi optimistë dhe të sigurt në lidhje me perspektivat për tregun e konsumit dhe rritjen e industrisë kineze të sporteve”, -tha Ding Shizhong, presidenti dhe shefi ekzekutiv i “Anta”.
Për një tjetër gjigant të industrisë kineze të sportit, “Shandong Mount Tai Sport Industry Group”, inovacioni i teknologjisë shkencore është gjithashtu i rëndësishëm. “Zhvillimi i sporteve tona bazohet në teknologji dhe inovacioni shkencor-teknologjik përfaqëson fuqinë e industrisë së sporteve”, -shpjegoi Bian Zhiliang, presidenti i grupit. (Irma)