foto nga VCG
Një sondazh i fundit nga gazeta kombëtare japoneze "Yomiuri" tregon se shumcia e japonezëve nuk duan që shikuesit nga jashtë Japonisë të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios këtë verë për shkak të frikës se një fluks i madh i vizitorëve mund të shkaktojë shtimin e infeksioneve të reja të COVID-19.
77 % e të anketuarve në sondazh janë kundër lejimit të shikuesve të huaj të shkojnë në Japoni, dhe vetëm 18 % pro.
Ndjenja e publikut duket të jetë në përputhje me atë të organizatorëve të olimpiadës. Në një konferencë shtypi në premten, kryetarja e Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të Tokios Seiko Hashimoto la të kuptohet se do të jetë e vështirë të mirëpriten spektatorët e huaj.
foto nga VCG
“Ne dëshirojmë sinqerisht që njerëzit nga bota të vijnë në stadiumet e mbushura plot, por nëse nuk jemi të gatshëm t’i presim ata dhe situata mjekësore në Japoni nuk është e përsosur, kjo do të shkaktojë shumë shqetësime edhe për vizitorët e huaj,”theksoi Hashimoto
Hashimoto, që e mori postin pas dorëheqjes së Yoshiro Mori-t, i cili bëri komente të diskutueshme në lidhje me gratë, ka thënë më parë për median japoneze se në Lojërat duhet të ketë shikues, ashtu si edhe në veprimtaritë e tjera të mëdha sportive. Megjithatë, ajo dukej më e rezervuar lidhur me mirëpritjen e spektatorë të huaj, ndërsa mbarë bota po bën përpjekje për të frenuar përhapjen e pandemisë.
Të premten, kryeministri japonez Yoshihide Suga njoftoi zgjatjen e gjendjes së emergjencës mbi COVID-19 deri më 21 mars, duke përfshirë Tokion, dy javë përtej afatit të planifikuar. (Fang Xiaoyu/Artan Goga)