Kina është e gatshme të punojë me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për t’u ofruar sportistëve olimpikë vaksina, deklaroi të dielën ministri i jashtëm Wang Yi në një konferencë për shtypin gjatë sesionit të 4-t të Asamblesë së 13-të Kombëtare të Kinës, organi më i lartë ligjvënës i vendit.
Foto nga VCG
Lojërat Olimpike të Tokios 2020 , të cilat janë shtyrë një vit për shkak të pandemisë së COVID-19, janë planifikuar të zhvillohen nga 23 korrik deri më 8 gusht këtë vit, ndërsa Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit do të mbahen nga 4 deri më 20 shkurt 2022.
Kryediplomati kinez tha se Kina dhe Japonia do të zhvillojnë lojërat olimpike, ndaj të dy palët do të mbështetin njëra-tjetrën në organizimin e këtyre dy veprimtarive të mëdha, duke shtuar se olimpiadat mund të jenë një platformë për të thelluar marrëdhëniet midis të dy popujve dhe një rast për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve.
Foto nga VCG
“Shpresoj se shoqëria japoneze do të ketë një perceptim më objektiv dhe më racional ndaj Kinës, për të forcuar mbështetjen publike për përparimin e qëndrueshëm afatgjatë të marrëdhënieve midis Kinës dhe Japonisë. Le ta fokusojmë shikimin në Tokio këtë verë dhe të takohemi në Pekin vitin e ardhshëm,” tha ministri i Jashtëm kinez. (Li Huailiang/ Artan)
Foto nga VCG