Foto nga VCG
Qeveria e Japonisë po planifikon të ndalojë ardhjen e shikuesve të huaj për Lojërat Olimpike Verore, prej shqetësimeve se mund të përhapin koronavirusin, tha një raport të mërkurën, pasi shumë japonezë janë kundër mbajtjes së Lojërave gjatë pandemisë.
Vendimi përfundimtar do të merret këtë muaj pas bisedimeve me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe palët e tjera, njoftoi gazeta "Mainichi", duke cituar burime të shumta anonime.
Qeveria do të vazhdojë të shqyrtojë nëse do të pranojë shikues nga brenda Japonisë, duke përfshirë numrin e lejuar, shtoi "Mainichi".
Çështja nëse do të lejohen shikuesit e huaj ishte në krye të agjendës dhe organizatorët kanë thënë më parë se ata do të merrnin një vendim deri në mars.
Një sondazh i gazetës "Yomiuri" tregoi të mërkurën se, nëse Lojërat do të vazhdojnë siç është planifikuar, 91 % e japonezëve duan që shikuesit të mbahen në nivelin më të ulët të mundshëm ose të mos lejohen fare.
Sondazhi - i kryer midis 18 janarit e 25 shkurtit - tregon se 70 për qind e të anketuarve janë "të interesuar për Lojërat Olimpike", por 58 për qind thanë se nuk dëshirojnë që ato të mbahen këtë vit, për shkak të frikës prej COVID-19.
Megjithatë, numri i atyre që kundërshtojnë mbajtjen e olimpiadës është rreth 20 pikë përqindjeje më i ulët se në sondazhet e mëparshme të opinionit.(Artan)