Foto nga VCG
Kampioni në fuqi i turneut të tenisit "Australian Open" Novak Xhokoviç barazoi të hënën rekordin e Roger Federerit për numrin e javëve si numri një në botë në renditjen e Shoqatës së Profesionistëve të Tenisit (ATP) , ndërsa zvicerani u tërhoq nga "Miami Open" që do të zhvillohet këtë muaj për të vazhduar rehabilitimin nga operacionet në gju.
Serbi ka mbajtur vendin e parë për 310 javë dhe titulli i tij i nëntë në "Australian Open" muajin e kaluar garanton se ai do ta thyejë rekordin e Federerit më 8 mars.
Pas një tjetër arritjeje historike në karrierën e tij, Xhokoviçi bëri të ditur se do të shikonte mundësinë e përshtatjes së kalendarit të tij dhe se do ta bënte përparësinë e vet kryesore thyerjen e rekordit të 20 titujve të "Grand Slam"-it, që mbahet bashkërisht nga Roger Federeri dhe Rafa Nadali.
Foto nga VCG
"Tani, pasi kam arritur rekordin historik për tërësinë e javëve si numri një, ky do të jetë një lehtësim për mua, sepse do ta përqendroj të gjithë vëmendjen kryesisht në turnetë e 'Grand Slam'-it," tha 18 herë fituesi i këtyre turneve pas marrjes së titullit në "Australian Open" .
Ndërkohë, Roger Federeri ka vendosur të heqë dorë nga "Miami Open" i këtij muaji, pasi po rehabilitohet nga dy operacionet e tij në gju në 12 muajt e fundit, sipas gazetës "Miami Herald" të hënën.
20 herë fituesi i "Grand Slam"-it nuk luajti në pjesën më të madhe të sezonit në vitin 2020 pas dy operacioneve dhe u tërhoq nga "Australian Open" muajin e kaluar për të njëjtën arsye, duke i lënë adhuruesit e vet të zhgënjyer.
Pavarësisht se nuk do të ketë mundësinë të mbrojë titullin në "Miami Open", 39-vjeçari do ta bëjë kthimin e shumëpritur në fushë në "Qatar Open" në Dohë javën e ardhshme dhe mund të luajë në një veprimtari në Dubai, i tha "Miami Herald"-it agjenti i tij Tony Godsick. (Artan)