Foto nga VCG
Josep Maria Bartomeu, ish-presidenti i "Barcelonës", u arrestua nga policia spanjolle në zyrën e "Barçës" në stadiumin "Camp Nou" të hënën, njoftojnë mediet.
Edhe zyrtari kryeekzekutiv i "Barçës" Oscar Grau dhe shefi i shërbimeve juridike Roman Gomez Ponti u arrestuan, ndërsa policia hyri në "Camp Nou" duke kërkuar prova në lidhje me skandalin e mediave sociale "Barçagate" një vit më parë.
"Po bëhen arrestime, por ne nuk mund të japim emra. Ne jemi në procesin e kryerjes së një operacioni në këtë moment me agjentë nga njësia e krimeve financiare", konfirmoi një zëdhënës i policisë lokale, sipas ESPN-it.
Në shkurt të vitit 2020, rrjeti radiofonik spanjoll "Cadena SER" zbuloi se "Barcelona" kishte bashkëpunuar me një kompani palë të tretë "I3 Ventures" për të njollosur lojtarët e dikurshëm dhe ata të tanishëm të ekipit, si dhe kandidatët për president të klubit në platformat e mediave sociale.
Rreth 58.5 milionë postime u bënë nga llogaritë e krijuara nga I3, duke çuar në rreth 51.1 milion shikime, sipas një raporti prej 36 faqesh nga "Cadena SER". Lionel Messi, Gerard Pique, ish-kapiteni Xavi Hernandez, ish-trajneri Pep Guardiola dhe kandidatët për president Victor Font dhe Agusti Benedito, ishin midis të sulmuarve. Bartomeu ishte ende president i "Barçës" në atë kohë.
Klubi katalanas i mohoi akuzat pothuajse menjëherë dhe e anuloi kontratën me I3. Këshilltari i Bartomeut Jaume Masferrer u mbajt përgjegjës për marrëdhëniet e klubit me I3-në dhe u pezullua. Më vonë "PricewaterhouseCoopers" (PwC) filloi auditimin e jashtëm të klubit, duke i pastruar ata nga çdo akuzë. PwC po ashtu nuk gjeti ndonjë çmim të fryrë të paguar nga klubi I3-së për shërbimet e tij.
Bartomeu dha dorëheqjen tetorin e kaluar pasi 20 000 mbështetës nënshkruan një peticion, duke kërkuar që ta hiqnin atë nga pozicioni drejtues. Carles Tusquets u bë presidenti i përkohshëm. Një president i ri do të zgjidhet të dielën.