Në fund të janarit, emri i një futbollisti të ri u shfaq në mediat sociale kineze. Ai ishte Li Sirong, i njohur gjithashtu si Sam Li, djali i ish-futbollistit të njohur kinez Li Ming. 17-vjeçari Li Sirong sapo ka nënshkruar një kontratë me klubin e kategorisë së parë holandeze "ADO Den Haag" deri në vitin 2024.
Li Sirong-u ka lindur në Dalian, një qytet i famshëm për futbollin në provincën Liaoning të Kinës Verilindore, dhe nisi të luante futboll në moshën shtatë vjeç. Katër vjet më vonë familja e Li Sirong-ut u zhvendos në Holandë për ta mbështetur në realizimin e ëndrrës së tij të futbollit.
Në një dokumentar të mëparshëm rreth futbollistit, nëna e tij tha se një faktor i rëndësishëm që u vendosën në Holandë ishte që anglishtja është gjuhë zyrtare e vendit. Ndërsa vetë Li Sirong-u, i cili mund të flasë rrjedhshëm kinezisht, holandisht dhe anglisht, u shpreh se një arsye tjetër është stili i futbollit total holandez dhe kjo mund ta lejojë atë të luajë në çdo kampionat të botës. Ai u përgatit në akademinë e të rinjve të ADO-s për afro gjashtë vjet.
Li Sirong-u tha se, fillimisht, ai dukej se ishte lojtari më i dobët në këtë ekip, duke pasur edhe presionin e gjuhës, të studimit dhe të stërvitjes në atë kohë, madje stresi bëri që në një moment t'i dilte gjak nga veshët. Por ai u stërvit jashtëzakonisht shumë për të ngushtuar hendekun me lojtarët e tjerë, dhe pavarësisht shqetësimeve rreth investimit në të që kishte bërë ADO, ai tha se me përpjekjet që bëri, e meritoi këtë kontratë.
"Princi i futbollit" u paraqit mirë në skuadrat e moshave nën 14 dhe nën 16 vjeç të të ADO-s dhe, pas pushimit njëvjeçar për shkak të dëmtimit në vitin 2020, ai do të luajë për skuadrën nën 18 vjeç në sezonin e ardhshëm. Shpresa e tij është që të arrijë të bëhet pjesë e ekipit të parë të ADO-së sa më shpejt të jetë e mundur.
Në fazën e fundit para provimit kombëtar për pranimin në universitet të Holandës që do të zhvillohet në maj, futbollisti profesionist po përpiqet të bëjë sa mundet për të ekuilibruar punën dhe studimin. Për qëllimin e tij të mëtejshëm, ai thotë: "Sigurisht, hyrja në ekipin kombëtar të futbollit të Kinës ka qenë gjithmonë ëndrra ime". (Artan Goga)