Menaxheri i përgjithshëm i klubit të basketbollit“Tigrat jugorë” të Guangdong-ut Zhu Fangyu u shpreh se basketbollisti Yi Jianlian mund të kthehet në kampionatin e Shoqatës Kineze të Baskebollit (CBA) në ditët në vijim.
“Yi e ka marrë veten shpejt dhe, me ritmin aktual të rehabilitimit, mund të kthehet në fushë këtë sezon", tha Zhu, i cili është gjithashtu ish-shoku i Yi Jianlian-it në kombëtaren kineze të basketbollit dhe në ekipin e Guangdong-ut.
“Gjithçka në projektin e tij të rehabilitimit është mjaft specifike në fazën e tanishme dhe kërkon zbatim të plotë nga vetë Yi për të arritur rezultatin më të mirë për shërimin e tij,” shtoi Zhu Fangyu.
Yi këputi tendinën e Akilit gjatë ndeshjes së tretë të finaleve të sezonit të kaluar të CBA-së me ekipin e Liaoning-ut, por megjithatë ai e ndihmoi Guangdong-un të ngrinte trofeun e vet të 10-të të CBA-së.
Ky ishte edhe sezoni i tij i 26-të në CBA, gjatë të cilit ai u bë pikëshënuesi më i mirë në historinë e CBA-së.
Trajneri i ekipit të Guangdong-ut Du Feng u shpreh në një intervistë në janar se shërimi i Yi Jianlian-it kishte shkuar mjaft mirë dhe ai kishte filluar stërvitjen bazë.
Gjatë rehabilitimit në ShBA, Yi Jianlian-i bëri homazhe ndaj yllit të ndjerë të NBA-së Kobe Bryant dhe u bëri thirrje të tjerëve të mësojnë nga shpirti i qëndresës i Kobe-t.
“Ne kurrë nuk do të shndërrohemi në një Kobe tjetër, por të gjithë mund të arrijmë‘forcën e tij të qëndresës’ sipas mënyrës sonë”, postoi ai në platformën "Weibo" me hashtagun “MambaForever”. (Fang Xiaoyu)