Këtë javë nisi programi i përshtatur për Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në gjashtë vende të garave në Pekin dhe qytetin Zhangjiakou të provincës Hebei të Kinës Veriore, ku do të zhvillohen lojërat. Kjo është një provë gjithëpërfshirëse për të testuar infrastrukturën dhe procedurat e funksionimit më pak se një vit para nisjes zyrtare të Lojërave Olimpike Dimërore.
Foto nga Xinhua
Në nëntorin e kaluar, organizatorët anuluan të gjitha veprimtaritë e testimit ndërkombëtar të planifikuara në sezonin 2020-2021 për lojërat olimpike 2022, për shkak të kufizimeve të udhëtimit, si pasojë e pandemisë së COVID-19. Në fund, vetëm sportistët brenda Kinës morën pjesë në këtë program testimi.
Në veriperëndim të Pekinit, në Qendrën Kombëtare të Rrëshqitjes në Akull në distriktin Yanqing, u zhvilluan të premten garat e disiplinave të ndryshme me slita.
17 teste të disiplinave të dëborës dhe rrëshqitjes janë planifikuar brenda 10 ditëve në shkurt, ndërsa testimi për disiplinat e akullit do të zhvillohet në prill në zonën qendrore të Pekinit.
Foto nga Xinhua
Pritet që të zhvillohen 10 testime të plota midis tetorit dhe dhjetorit të sivjetshëm.
Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 do të zhvillohen nga 4 deri më 20 shkurt dhe Lojërat Paralimpike nga 4 deri më 13 mars të vitit të ardhshëm. (Li Huailiang/ Artan)