Hetuesit amerikanë të sigurisë thanë të martën se piloti i helikopterit të legjendës së basketbollit Kobe Bryant fluturoi përmes reve vitin e kaluar, duke shkelur dukshëm standardet federale, dhe mund të jetë çorientuar pak para se helikopteri të rrëzohej, duke vrarë Bryant dhe tetë të tjerë.
Piloti Ara Zobayan po fluturonte nën rregullat pamore të fluturimit, që do të thotë se ai duhej të ishte në gjendje të shihte se ku po shkonte, tha Robert Sumwalt, kryetari i Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit, gjatë një seance për të përcaktuar shkakun ose shkaqet e mundshme të rrëzimit.
Zobayan fluturoi në një pjerrësi të madhe dhe gati u fut mes reve kur helikopteri "Sikorsky S-76" ra befasisht në kodrat e Kalifornisë Jugore, duke vrarë të gjithë ata që ishin në bord.
Helikopteri nuk kishte të ashtuquajturat pajisje regjistruese "kuti të zeza", të cilat nuk kërkoheshin.
E veja e Bryant-it fajësoi pilotin. Ajo dhe të afërmit e viktimave të tjera gjithashtu fajësuan kompanitë që zotëronin dhe operonin helikopterin.
Vëllai i pilotit nuk fajësoi Bryant-in, por tha se basketbollisti i dinte rreziqet e fluturimit. Kompanitë e helikopterëve kanë thënë se moti i mjegullt para se helikopteri të godiste tokën, ishte një veprim i Zotit, dhe fajësuan kontrollorët e trafikut ajror.
Seanca dëgjimore federale u përqendrua në shkakun ose shkaqet e mundshme të tragjedisë që solli hidhërimin mbarëbotëror për yllin e basketbollit në pension, nisjen e disa proceseve gjyqësore dhe rishikimin e legjislacionit shtetëror dhe federal. (Artan/Fani)