Në kryeqytetin kinez u prezantua pishtari olimpik i Lojërave Dimërore Pekin 2022. Është ekologjik, punon me hidrogjen dhe ka një dizajn jashtëzakonisht dinamik me shirita të ndërthurur. “Flying” u prezantua në një ceremoni të zhvilluar në strukturën historike të Lojërave Olimpike Verore Pekin 2008, duke shënuar fillimin e numërimit mbrapsht për fillimin e Olimpiadës më 4 shkurt të vitit të ardhshëm, shkruan “Xinhua”.
Dizajni si spirale i pishtarit është ai i dy shiritave që kryqëzohen, njëri i kuq në brendësi që simbolizon flakën, dhe tjetri i argjendtë, në pjesën e jashtme, për të krijuar një kontrast ngjyrash dhe duke krijuar së bashku një metaforë të akullit dhe zjarrit.
Në pishtar janë gdhendur simbolet e Pekin 2022 dhe rrathët olimpikë, duke sjellë motive të reve dhe flokëve të dëborës të drejtuar për nga pjesa e brendshme drejt flakës.
Pishtari i Lojërave Paraolimpike Dimërore, i prezantuar edhe ai gjatë ceremonisë, ka një kombinim të ndryshëm të ngjyrave prej ari dhe argjendi, duke ndarë një dizajn të ngjashëm. (Irma)