Megjithëse është futur vonë në botën e sporteve dimërore, Kina ka njohur një zhvillim të madh të këtyre sporteve në vitet e fundit, ndërsa përgatitet të organizojë Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022.
Pas fitores së kandidaturës së Pekinit në vitin 2015 për të qenë qyteti mikpritës i këtyre Lojërave, Kina shpalli planin ambicioz të pjesëmarrjes në të 109 disiplinat, më shumë se dyfishi i përfaqësimit të saj në olimpiadën e fundit të Pyeongchang 2018.
Sipas rregullave të tanishme, Kina do të kualifikohet drejtpërdrejt në 61 disiplina, ndërsa pjesa tjetër do të përcaktohet nëpërmjet pikëve të renditjes, duke përbërë kështu një sfidë të vërtetë.
Autoritetet qendrore kanë nisur një plan kombëtar për industrinë e sporteve dimërore për të pasuruar aktivitetet masive në akull dhe borë, duke zbatuar strategjinë e "zgjerimit në veri, perëndim e lindje" dhe duke promovuar ushtrimin e sporteve të akullit dhe të dëborës në të katër stinët e vitit. Gjithashtu, do të bëhen përpjekje për të arritur objektivin e përfshirjes së 300 milionë vetave në sportet dimërore, me ndërtimin e 650 pistave të patinazhit dhe të paktën 800 pistave të skive deri në vitin 2022.
Olimpiada kanë sjellë një entuziazëm të pashembullt për sportet dimërore në Kinë.
Në vitin 2002, në Kinë kishte vetëm 130 pista skish me 2 milionë vizitorë në vit, ndërsa në vitin 2019 kishte 880 të tilla me 20 milion skiatorë, me një rritje 6.1 për qind në krahasim me vitin 2018.
Ndërsa është ende në fillimet e tij, tregu i sporteve të akullit dhe borës në Kinë vlerësohet se do të arrijë 1 trilion juanë (156 miliardë dollarë) deri në vitin 2025, sipas planeve kombëtare.
Madhësia e tregut të skive në Kinë në vitin 2022 pritet të jetë gati 26 miliardë juanë, 480 për qind më shumë se gjatë vitit 2015. (Artan)