Foto nga VCG
Olimpiada e shtyrë e Tokios do të zhvillohet këtë verë dhe nuk ka "asnjë plan B", tha kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach në një intervistë të enjten.
"Ne nuk kemi në këtë moment asnjë arsye të besojmë se Lojërat Olimpike të Tokios nuk do të çelen më 23 korrik," tha Bach për "Kyodo News". "Kjo është arsyeja pse nuk ka asnjë 'plan B' dhe pse jemi plotësisht të përkushtuar t'i bëjmë këto lojëra të sigurta dhe të suksesshme."
Kur kanë mbetur pak më shumë se gjashtë muaj nga fillimi i Lojërave të shtyra për shkak të virusit, janë rritur dyshimet nëse zhvillimi i tyre është i mundur, teksa pandemia vazhdon ende në pjesën më të madhe të botës. Organizatorët e Tokios kanë shpallur një sërë masash sigurie që ata thonë se do të mundësojnë organizimin e olimpiadës edhe nëse pandemia nuk vihet nën kontroll dhe pa vaksinim. Por mbështetja publike në Japoni është e ulët, teksa afro 80 për qind e të anketuarve në sondazhet e fundit mendojnë se olimpiada duhet shtyrë përsëri a të anulohet fare.
Kryeekzekutivi i "Tokio 2020" Toshiro Muto i tha agjencisë së lajmeve "Agence France-Presse" në fillim të kësaj jave se organizatorët ishin "të palëkundur" në angazhimin e tyre për të zhvilluar Lojërat këtë verë dhe se anulimi nuk ishte diskutuar. Por ai pranoi se nuk mund të garantonte që tribunat do të ishin të mbushura plot, ose të përjashtonte mundësinë që Lojërat të zhvilloheshin pa shikues. Një vendim nëse tifozët e huaj mund të marrin pjesë dhe sa shikues do të lejohen, pritet të merret këtë pranverë.
Bach i tha "Kyodo News" se "përparësi është siguria" dhe se KON-it mund t'i duhet që të jetë "elastik" e të bëjë "sakrifica". Ai u shpreh po ashtu që Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit do të vazhdojnë siç është planifikuar në vitin 2022.