NBA-ja (Shoqata Kombëtare e Basketbollit e ShBA-së) dhe unioni i lojtarëve të saj përditësuan të martën protokollet e shëndetit dhe sigurisë, duke shtuar rregulla të reja më të rrepta pas rritjes së rasteve të lojtarëve të prekur nga COVID-19 dhe të shtyrjes së ndeshjeve.
NBA-ja dhe zyrtarë të Shoqatës së saj Kombëtare të Lojtarëve të Basketbollit biseduan të hënën, dhe pronarët e ekipeve të NBA-së diskutuan të martën, duke miratuar masa më të rrepta për lojtarët gjatë ndeshjeve brenda dhe jashtë fushës së tyre, si dhe mbi përdorimin e maskave.
Liga njoftoi të martën një shtyrje të pestë ndeshjeje, që është edhe ndeshja e tretë e shtyrë e ekipit “Boston Celtics”, për shkak të testimit dhe gjurmimit të kontakteve lidhur me COVID-19, duke u zotuar se do të ndryshojë masat sipas nevojës me zhvillimin e mëtejshëm të pandemisë dhe rritjen e rasteve të reja të lojtarëve.
Masat e reja u vendosën “në përgjigje të rritjes së rasteve të COVID-19 në mbarë ShBA-në dhe të shtimit të numrit të ekipeve që mund të kërkojnë karantinë për lojtarët,” thuhet në një deklaratë të NBA-së.
Për të paktën dy javët e ardhshme, lojtarëve dhe stafeve të ekipeve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi kur ekipi luan brenda fushës së vet, përveç rasteve të pjesëmarrjes në aktivitete që kanë lidhje me ekipin, stërvitjes jashtë shtëpisë dhe pjesëmarrjes në aktivitete të rëndësishme, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme.
Ndërveprimet jashtë ekipit janë kufizuar gjithashtu te anëtarët e shtëpisë, familjarët dhe pjesëtarët e personelit që punojnë rregullisht në shtëpi.
Kur ekipi luan jashtë fushe, lojtarët dhe stafi ndalohen që të largohen nga hoteli, përveç pjesëmarrjes në aktivitete të ekipit, emergjencave ose shkëmbimeve me mysafirë jo të ekipit.
Ata duhet të mbajnë maska në dhomat e zhveshjes, në aktivitete të stërvitjes e kalitjes, si dhe gjatë udhëtimeve me këdo tjetër përveç anëtarëve të shtëpisë.
Trajnerët dhe stafi tjetër i ekipit duhet të mbajnë maska gjatë gjithë ndeshjes.
Kushdo që viziton rregullisht shtëpinë e një lojtari për aktivitet profesional, përfshirë trajnerin, duhet të testohet për COVID-19 dy herë në javë.
Për ekipet me një lojtar që testohet pozitiv ose pjesëtar stafi me rrezik të lartë, NBA-ja mund t’u kërkojë lojtarëve dhe stafit që të testohen për COVID-19 pesë ditë me radhë, nga dy herë në ditë, përveç testimit të zakonshëm ditor. (Li Huailiang/ Artan)