Foto nga VCG
Katër badmintonistë dolën pozitivë në testimin për COVID-19 në Bangkok të Tajlandës, konfirmoi të martën Federata Botërore e Badmintonit (BWF) në një konferencë për shtypin.
Kjo u zbulua pas raundit të 3-të të testimit të detyrueshëm që u zhvillua të hënën dhe BWF-ja u informua në mëngjesin e së martës, disa orë para fillimit të turneut “YONEX Thailand Open”.
Sipas BWF-së, katër lojtarë - dy nga India, një nga Gjermania dhe një nga Egjipti - dolën fillimisht pozitivë.
Pas ritestimit të të njëjtave mostra, tre prej tyre dolën negativë dhe do të testohen përsëri sot.
Ndër këta katër badmintonistë përfshihen ish-nr. 1 në botë Saina Nehwal dhe bashkatdhetari i saj HS Prannoy.
Të dy kanë tërhequr nga turneu sipas Shoqatës së Badmintonit të Indisë, dhe do të izolohen në një spital në Bangkok për 10 ditë.
BWF-ja tha në një deklaratë se “i tërë ekipi indian është kategorizuar me rrezik të lartë, sipas autoriteteve shëndetësore të Tajlandës, dhe të gjitha lojtarët dhe shoqëruesit e tyre tani janë karantinuar në dhomat e tyre në hotel.”
Federata konfirmoi gjithashtu që, pavarësisht se konsiderohen me “rrezik të lartë”, lojtarët e tjerë indianë u lejuan të shkonin të martën në “Muang Thong Thani's Impact Arena” për ndeshjet e tyre.
“Thailand Open” është i pari ndër tre turnetë e badmintonit me radhë që luhen në kushte të rrepta të biosigurisë dhe me dyer të mbyllura në Bangkok, duke kulmuar me Finalet e Turneut Botëror që nisin më 27 janar.
Kreu i federatës tajlandeze të badmintonit i tha AFP-së se turnetë do të ishin “më të sigurtat” në botë, pavarësisht tërheqjes së një numri lojtarësh të njohur.
Ekipi japonez është tërhequr nga turneu pasi nr. 1 në botë Kento Momota u testua pozitiv për COVID-19, ndërsa ekipi i Kinës nuk shkoi në Bangkok për shkak të shqetësimeve mbi COVID-19. (Li Huailiang/ Artan)