Një ekspozitë e pishtarëve të Lojërave Olimpike të Tokios rreth kryeqytetit japonez është shtyrë për shkak të përkeqësimit të situatës së pandemisë së COVID-19.
Qeveria Metropolitane e Tokios deklaroi të enjten se vendimi është marrë për të "zvogëluar fluskin e njerëzve dhe përhapjen e mëtejshme të COVID-19".
Pishtarët kanë udhëtuar në 14 vende që nga 2 nëntori 2020 dhe ishin planifikuar të ekspozoheshin të enjten në qytetin Akiruno. Ekspozita do të shtyhet më 29 janar.
Po atë ditë, kryeministri japonez Yoshihide Suga shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në zonën metropolitane të Tokios, ndërsa infeksionet janë rritur në mbarë vendin.
"Situata është përkeqësuar kohët e fundit në të gjithë vendin dhe unë kam një ndjesi të fortë krize. Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e duhura," tha Suga në një takim të grupit të punës të qeverisë mbi përgjigjen ndaj pandemisë
Gjendja e jashtëzakonshme është në fuqi në zona të ndryshme përfshirë Tokion, që do të organizojë Olimpiadën e shtyrë këtë verë, dhe në prefekturat pranë saj Kanagawa, Chiba dhe Saitama.
Banorëve të këtyre zonave do t'u kërkohet të mos dalin jashtë shtëpive për gjëra jo të rëndësishme, veçanërisht pas orës 8 të mbrëmjes, dhe restorantet e baret nxiten të mbyllen brenda kësaj ore.
Palestrat, qendrat tregtare dhe objektet e argëtimit gjithashtu do t'u nënshtrohen orareve më të shkurtuara.
Rastet ditore kanë arritur një tjetër rekord të enjten, duke shkuar në 6 100, ndërsa zona metropolitane e Tokios ka qenë më e goditura, me rreth gjysmën e të gjitha rasteve në vend në javët e fundit. (Artan)