Të hënën mbetën edhe 200 ditë nga çelja e Olimpiadës së shtyrë të Tokios. Kryeministri japonez Yoshihide Suga tha po atë ditë se ai është i vendosur për organizimin e Lojërave Olimpike të Tokios, edhe pse gjendja e epidemisë së COVID-19 në Japoni vijon të përkeqësohet.
Suga tha në një konferencë shtypi se ai do të përgatitet për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike të Tokios me "vendosmëri" dhe do të marrë të gjitha masat e mundshme antiepidemike, duke i dhënë "shpresë dhe guxim" mbarë botës.
Ai gjithashtu u shpreh se qeveria e tij do të shqyrtonte mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për zonën metropolitane dhe rrethinat e Tokios, të cilat po vuajnë më shumë javët e fundit nga epidemia.
Japonia nuk ka pasur kurrë mbyllje për COVID-19, për të mos dëmtuar ekonominë.
Po afron afati përfundimtar që organizatorët e Olimpiadës së Tokios, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe departamente të ndryshme të qeverisë japoneze të bëjnë të mundur mbajtjen e Lojërave në kushtet e pandemisë.
Zyrtarët kanë premtuar të shpallin plane konkrete në fillim të vitit të ri lidhur me sjelljen e 15 000 sportistëve olimpikë dhe paralimpikë në Japoni dhe sigurinë e Fshatit të Sportistëve dhe të qindra mijë tifozëve, gazetarëve, gjyqtarëve, zyrtarëve dhe personaliteteve.
Suga u zotua përsëri për zhvillimin e Lojërave Olimpike, duke thënë se kjo do të ishte "prova që njerëzit e kanë kapërcyer koronavirusin". Ai tha se miratimi i vaksinës do të përshpejtohet me një muaj, me qëllim që vaksinimi të fillojnë në shkurt e jo në mars.