Ndeshja e "Premier League"-s angleze midis "Evertonit" dhe "Manchester City"-t, e planifikuar fillimisht për të hënën, është shtyrë pas testimit pozitiv për COVID-19 të disa lojtarëve të "City"-t.
Të dy klubet e konfirmuan një gjë të tillë vetëm disa orë para fillimit të ndeshjes në "Goodison Park".
"Pas raundit të fundit të testimit të COVID-19, klubi pati një numër rastesh pozitive, përveç katër të raportuara tashmë në Ditën e Krishtlindjeve. Bazuar në këshillat e forta mjekësore, 'Premier League', në konsultim me të dy klubet, ka vendosur të shtyjë ndeshjen," tha "Manchester City" në një deklaratë.
Klubi u shpreh se të gjithë lojtarët e pjesëtarët e stafit që dolën pozitivë, do të hyjnë në vetizolim në përputhje me protokollet shëndetësore.
Edhe fusha e stërvitjes së ekipit të parë në Akademinë e Futbollit të "City"-t u shpall gjithashtu e mbyllur për një periudhë të pacaktuar, teksa planifikohet një raund i ri testimi para se të merret një vendim mbi rinisjen e stërvitjes. (Artan/Fani)