Ndërtimi i Pallatit Kombëtar të Patinazhit të Shpejtë për "Pekin 2022", e njohur gjithashtu si "Shiriti i akullit", përfundoi të premten dhe do të fillojë prodhimin e akullit në janar 2021, sipas Zyrës së Selisë së Ndërtimit të Projekteve Kryesore të Pekinit.
Ky është objekti i vetëm i ri për sportet e akullit në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Ai ka një sipërfaqe afro 80 000 metra katrorë dhe mund të mbajë rreth 12 000 spektatorë. Gjatë Lojërave Olimpike Dimërore, në të do të zhvillohen garat e patinazhit të shpejtë, ku do të jepen 14 medalje ari.
Sipas menaxherit të projektit, ndërtimi i këtij objekti përfshin risi në konceptin e projektimit, procesin teknik, përzgjedhjen e materialit dhe teknikat e ndërtimit. Ai ka një sistem muri-perde të lakuar të teknologjisë së lartë, i formuar nga 3 360 pllaka xhami të lakuar, dhe krijon me sukses një formë "fjongoje" që simbolizon rrëshqitjen me shpejtësi të lartë të patinatorëve.
Si objekti i parë i olimpiadës dimërore në botë që përdor teknologjinë e krijimit të akullit me ftohje të drejtpërdrejtë transkritike të dioksidit të karbonit, në të do të krijohet sipërfaqja më e madhe e akullit në Azi prej 12 000 metra katrorë. Pallati do të jetë i pajisur gjithashtu me robotë që kërkojnë udhëzime, automjete pa drejtues dhe sporte virtuale akulli dhe dëbore.(Artan)