Doha, kryeqyteti i Katarit, do të organizojë Lojërat Aziatike në 2030-n dhe katër vjet më vonë, veprimtaria më e madhe shumësportëshe e Azisë do të zhvendoset në Riad të Arabisë Saudite, njoftoi Këshilli Olimpik i Azisë (OCA) të mërkurën.
"Tani mund të njoftoj ... se qyteti me numrin më të madh të votave që do të organizojë (Lojërat Aziatike) në 2030-n është Doha. Qyteti i dytë pritës, në 2034-n, është Riadi," tha Sheikh Ahmad Al-Fahad Al-Sabah, president i OCA-s.
Votimi u bë në internet për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe u vonua për rreth një orë prej problemeve teknike.
"Kërkoj ndjesë për problemin teknik që hasëm gjatë votimit. Sot
vështirësitë janë zgjidhur dhe kanë mbetur disa probleme të lehta. Jam i lumtur që do të kemi dy Lojëra në Azinë Perëndimore, për të qenë i sinqertë," tha Sheik Ahmed.
Sheikha Al Mayassa Al Thani, motra e emirit të Katarit, i përgëzoi të dy qytetet në "Twitter": "Urime Këshillit Olimpik të Azisë për vendimin për t'u dhënë dy qyteteve kandidate të drejtën për të organizuar Lojërat Aziatike më 2030 dhe 2034. Urime Dohës për Lojërat e vitit 2030 dhe Riadit për 2034-n."
Katari i ka organizuar Lojërat Aziatike edhe në vitin 2006, ndërsa në vitin 2022 do të jetë edhe mikpritësi i Kupës së Botës të FIFA-s, e cila do të luhet për herë të parë në dimër.
Përkundrazi, Arabia Saudite do t'i presë Lojërat Aziatike për herë të parë, por ka besim se do t'i zhvillojë ato me sukses.
"Kur themi se lojërat janë një përparësi kombëtare, e kemi me vërtetë. Ka një mbështetje të palëkundur politike dhe publike. Sporti ka ndryshuar jetën shoqërore në mbretëri - veçanërisht për gratë," tha princi Abdulaziz bin Turki Al-Faisal Al-Saud, president i Komitetit Olimpik Saudit.
Ashtu si Katari, edhe Arabia Saudite është marrë me organizimin e disa veprimtarive kryesore sportive. Së bashku me disa ndeshje të rëndësishme boksi, ajo do të presë një garë të "Formula 1" për herë të parë në vitin 2021. (Artan)