Një e treta e japonezëve duan që Lojërat Olimpike të Tokios të anulohen, teksavendi po përballet me një rritje të re të rasteve të prekjes nga koronavirusi në zonat urbane dhe banorët kanë frikë se një fluks i të huajve mund të shkaktojë një goditje të mëtejshme. Kjo tregohet nga rezultatet e një sondazhi të televizionit kombëtar të Japonisë NHK të publikuara të martën.
Vetëm 27 % e pjesëmarrësve në sondazh mbështesin mbajtjen e olimpiadës vitin e ardhshëm, 32 % janë për anulimin e saj dhe 31 % për një shtyrje të mëtejshme. Pjesa tjetër thanë se nuk ishin të sigurt ose nuk dhanë përgjigje.
Me gjithë njoftimet për krijimin e vaksinave, opinioni në Japoni ka ndryshuar vetëm pak që nga vera, kur sondazhet treguan se vetëm një pakicë mbështetnin planet për të organizuar Lojërat vitin e ardhshëm.
Përkundër ndjenjës negative nga shumica e japonezëve, organizatorët e olimpiadës dhe zyrtarët japonezë kanë përjashtuar çdo mundësi për shtyrjen e mëtejshme të Lojërave Olimpike, duke u zotuar se ato do të jenë "të sigurta".
“Unë do të vazhdoj të bëj të gjitha përpjekjet që Lojërat të jenë të sigurta," tha kryeministri Yoshihide Suga në një seancë të veçantë mbi luftën kundër koronavirusit këtë muaj. Ai ritheksoi se Olimpiada e Tokios do të shërbejë si "një provë se njerëzimi e ka mposhtur pandeminë".
Organizatorët e Lojërave Olimpike të Tokios 2020 kanë këmbëngulur se ato mund të mbahen edhe në kushtet e pandemisë dhe kanë nxjerrë udhëzime, të tilla si testimi i acidit nuleik të sportistëve, nëse nuk gjendet një vaksinë efektive.
Por publiku japonez nuk duket i bindur. (Fang Xiaoyu/Artan)