Nuk ka akull a dëborë? Kjo nuk mund t’ju pengojë që të praktikoni sportet dimërore.
Të shtunën në qendër të Pekinit sportistë të të gjitha moshave e shtresave provuan sporte dimërore si skitë, biatloni dhe kërlingu pa u larguar nga qyteti.
Veprimtaria u organizua nga Qendra e Menaxhimit të Sporteve Dimërore pranë Administratës së Përgjithshme të Sporteve të Kinës dhe Shoqata e Skive, ndërsa Pekini po përgatitet të organizojë Lojërat Olimpike Dimërore në vitin 2022.
Makinat për ushtrimin e skive që përdoren edhe nga skiatorë profesionistë, mund të provoheshin nga të gjithë.
Anëtarët e tanishëm dhe të mëparshëm të ekipit kombëtar të Kinës dhe të ekipeve të provincave ishin gjithashtu të pranishëm për të demonstruar pajisjet dhe për të treguar aftësitë e tyre.
Midis tyre ishte edhe Li Jiajun, një patinator shpejtësie që ka fituar medalje olimpike ari e argjendi, dhe dy herë titullin "kampion botëror". Ai tregoi shkathtësinë e tij sportive në makinat e ushtrimit të skive dhe ndau me të pranishmit përvojën e tij të gjatë e njohuritë për sportet dimërore.
“Konkurrimi mbarëkombëtar i qëndrueshmërisë i skive” përfshinte edhe gara. Pjesëmarrësit ishin të ndarë në tre kategori: adoleshentë (9-17 vjeç), të rritur (18-60 vjeç) dhe sportistë profesionistë.
Pjesëmarrësit joprofesionistë mund të zgjidhnin një garë krosi skish midis 200 metra dhe 1.5 kilometra, kurse profesionistët konkurruan në garën 10 kilometra për meshkuj dhe 5 kilometra për femra.
Kjo ngjarje tërhoqi gjithashtu pjesëmarrës 10-vjeçarë dhe 80-vjeçarë, shumica e të cilëve i përdorin makinat e stërvitjes së skive për herë të parë.
Të tjerët mund të merrnin pjesë në një garë biatloni, duke bërë qitje me pushkë ose duke treguar shënjestrën e tyre dhe aftësinë për rrëshqitjen e gurit në një garë kërlingu.
Veprimtari të tilla, që nuk kanë nevojë për dëborë ose akull, janë organizuar edhe në qytete të Jugut të Kinës, si Shangai e Xiangyang-u, dhe do të zhvillohen edhe në qytete të tjera për të promovuar sportet dimërore në mbarë vendin. (Li Huailiang/ Artan/Foto nga Xinhua)