Sulmuesi legjendar i Italisë, Paolo Rosi, vdiq në moshën 64-vjeçare, njoftoi të enjten televizioni "RAI Sport", ku Rosi punonte si ekspert futbolli.
E shoqja, Federica Cappelletti, postoi në "Instagram" fjalët "Per sempre" ("Përgjithmonë"), të shoqëruara nga një fotografi e saj dhe Rosit.
Paolo Rosi luajti për gjashtë klube të ndryshme në karrierën e vet 14-vjeçare dhe shënoi 134 gola në 338 ndeshje. Ai fitoi dy tituj të "Serie A", një Kupë të Italisë, një Kupë të Kampioneve të Evropës, një Kupë të Kupave të Evropës dhe një Superkupë evropiane, të gjitha me "Juventusin". Rosi ishte gjithashtu golashënuesi më i mirë i "Serie A" në sezonin 1977-'78.
Por ajo që me të vërtetë e bëri Paolo Rosin hero të Italisë ishte fitimi i Kupës së Botës në Spanjë në vitin 1982, ku ai dha një ndihmesë të madhe me gjashtë golat e tij.
Rosi nuk shënoi asnjë gol në fazën në grupe, gjë që ishte po aq zhgënjyese sa paraqitja e gjithë skuadrës. Italia nuk arriti asnjë fitore dhe kaloi në fazën tjetër vetëm sepse kishte shënuar më shumë gola se Kameruni. Faza e dytë ishte përsëri me grupe. Fatkeqësisht, Italia gjendej në të njëjtin grup me Brazilin dhe Argjentinën.
Edhe sot ekipi kombëtar brazilian i vitit 1982 vlerësohet si legjendar, me lojtarë të tillë si Ziko, Sokrates, Falkao etj. Ndërsa Argjentina ishte mbrojtëse e titullit dhe kishte në gjirin e vet Diego Armando Maradonën, i cili luante për herë të parë në një kampionat botëror.
Sidoqoftë, Rosi ishte ai që do të ndryshonte gjithçka. Italia çuditërisht mundi Argjentinën 2-1, dhe në ndeshjen kundër Brazilit, Rosi shënoi një nga tregolëshat më emocionues në historinë e Kupës së Botës, duke bërë që Italia të përmbyste rezultatin dhe të fitonte 3-2.
"Të kaltrit" kaluan kështu në gjysmëfinale, ku dy golat e Rosit u dhanë fitoren ndaj Polonisë.
Në finale Italia ishte përballë Gjermanisë Perëndimore, që kishte sulmues si Rumenige, dhe Toni Shumakerin, një nga portierët më të mirë në botë.
Pas pjesës së parë 0-0, Rosi e çoi në rrjetën e Shumakerit topin e krosuar nga Klaudio Xhentile në minutën e 57-të. Në fund, Italia triumfoi 3-1, duke u bërë ekipi i dytë që fiton tre herë Kupën e Botës. Vetë Rosi u bë lojtari i parë që merrte si "Topin e artë", ashtu edhe "Këpucën e artë" të Kupës së Botës.
Ndarja nga jeta e Paolo Rosit është e dyta brenda dy javësh e një kampioni bote në futboll, pas asaj të legjendës tjetër të futbollit, Diego Armando Maradona. (Artan Goga)