"Manchester United" pësoi një goditje të rëndë pas humbjes 3-2 me "RB Leipzig"-un, duke u larguar nga Liga e Kampioneve e UEFA-s.
"United", që i nevojitej vetëm një barazim për të kaluar në një të tetat, pësoi dy gola brenda 13 minutash, para se gjermanët të shënonin një tjetër gol në pjesën e dytë.
"Djajtë e kuq" arritën të kundërpërgjigjen vonë me dy gola, një i shënuar me 11-metërsh nga Bruno Fernandes dhe një me kokë nga Harry Maguire, por nuk arritën të barazonin.
Ndeshja tjetër e grupit ndërmjet "Paris St-Germain" dhe "Bashakshehir" të Stambollit u pezullua, pasi gjyqtari i katërt u akuzua për përdorimin e një shprehjeje raciste ndaj zëvendëstrajnerit të ekipit turk Pierre Webo.
Incidenti ndodhi kur ishin luajtur vetëm 14 minuta dhe rezultati ishte ende 0-0.
Lojtarët e ekipit të Stambollit u larguan nga fusha në shenjë proteste dhe lojtarët e PSG-së i pasuan.
Ndeshja do të riluhet dhe UEFA është shprehur se do ta hetojë çështjen.
Ndërkohë, në përballjen e shumëpritur midis Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, "Juventusi" arriti një fitore të merituar 3-0 ndaj "Barcelonës".
Ronaldo shënoi dy 11-metërsha, duke e ndihmuar skuadrën italiane të dalë fituese e grupit. (Artan/Fani)