Shpresat e "Realit" të Madridit për të arritur në një të tetat e Ligës së Kampioneve të UEFA-s kanë mbetur pezull pas mundjes nga "Shakhtari" i Donetskut 2-0.
13 herë kampionët e Evropës janë tani të tretët në Grupin B, kur kanë edhe një ndeshje për të luajtur.
"Reali" ka pësuar tre humbje në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha veprimtaritë, dhe gjendet i katërti në "La Liga".
Por trajneri Zinedine Zidane thotë se nuk është i gatshëm të japë dorëheqjen.
Në të njëjtin grup, "Interi" i Milanit shënoi fitoren e parë në Ligën e Kampioneve këtë sezon, duke mposhtur kryesuesen e grupit, "Borusian" e Mënshengladbahut 3-2.
Romelu Lukaku shënoi dy herë, duke mbajtur gjallë shpresat e "zikaltërve" për kualifikim.
Skuadra italiane duhet të fitojë ndeshjen e vet të fundit kundër "Shakhtarit" për të pasur një mundësi për t'u kualifikuar.
Në Grupin D, "Liverpuli" fitoi me "Ajaksin" 1-0, duke u renditur në vendin e parë.
Portieri i "Ajaksit" Andre Onana bëri një gabim të rëndë gjatë një krosimi të "Liverpulit", duke i mundësuar Curtis Jones-it të shënonte me portën e zbrazët.
Skuadra holandeze ra në vendin e tretë në grup dhe duhet të mundë "Atalantën" në ndeshjen e fundit për të kaluar në fazën e ardhshme.
"Manchester City" është tashmë fitues i grupit pas barazimit pa gola me "Porton".
"Bajerni" i Mynihut, edhe ai tashmë i kualifikuar, mori një barazim 1-1 me "Atletikon" e Madridit falë një goli me 11-metërsh në fund të ndeshjes nga Thomas Muller-i. (Artan Goga)