Lojërat Olimpike të Tokios, të cilat u shtynë një vit për shkak të pandemisë së COVID-19, do të zhvillohen më 2021, pavarësisht nga rritja e fundit e rasteve të koronavirusit në Japoni, tha të martën guvernatorja e Tokios Yuriko Koike.
"Ne si qytet pritës, jemi të vendosur të bëjmë çfarëdo që të duhet që Lojërat të zhvillohen," tha Koike. Në shtator ajo premtoi se Tokioja do të marrë masa të gjithanshme kundër pandemisë, për të garantuar Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Verore.
Koike tha të martën se Olimpiada e Tokios do të bëhet simboli i bashkimit të njerëzimit për të mposhtur koronavirusin dhe për të krijuar një model të ri për organizatorët e lojërave të ardhshme olimpike .
Javën e kaluar, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach vizitoi Tokion dhe shprehu vendosmërinë për zhvillimin e olimpiadës gjatë bisedimeve me zyrtarët olimpikë japonezë, përfshirë edhe znj. Koike. (Artan Goga)