Presidenti i Shoqatës kineze të Futbollit (AQF), Chen Xuyuan, ka premtuar të marrë masa më të rrepta për të ulur më tej pagat e lojtarëve, në mënyrë që të sigurojë mbarëvajtjen e ligave kineze të futbollit. Në një përpjekje për të frenuar shpenzimet e tepërta, Shoqata kineze e Futbollit njoftoi në janar futjen e një kufiri page prej 3.3 milionë dollarë në vit për futbollistët e huaj, ndërsa u vendos një kufi për lojtarët kinezë te fitimet vjetore prej 1.4 milionë dollarë, bën të ditur “Xinhua”.
“Ligat mund të funksionojnë mirë vetëm në kushte të arsyeshme financiare dhe kam besim se deri në fund të vitit do të përpunojmë masa për të frenuar më tej shpenzimet dhe për të ulur pagat e lojtarëve”, -tha Chen, duke shtuar se masat do të zbatohen së shpejti.
Chen paralajmëroi se ligat kineze të futbollit janë në telashe për shkak të shpenzimeve të tepërta të klubeve për pagat e lojtarëve. Përveç kufirit të pagës për janarin, në vitin 2018, u prezantua një taksë 100 për qind për transferimin e lojtarëve të huaj. (Elona)