Organizatorët e Olimpiadës së Tokios janë shprehur se ndihen të inkurajuar nga lajmi për një sukses të mundshëm në gjetjen e një vaksine kundër COVID-19.
Kompania farmaceutike "Pfizer" njoftoi të hënën se një vaksinë që po prodhohet, duket se është rreth 90 për qind e efektshme.
Zyrtari i Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike të Tokios Hidemasa Nakamura shprehet:
"Ne nuk ekzistojmë jashtë shoqërisë. Jemi duke i përgatitur Lojërat Olimpike dhe Paralimpike brenda së njëjtës shoqëri. Në rrethana të tilla, edhe unë i dëgjova lajmet në lidhje me vaksinat. Mendoj se të gjithë kemi një ndjenjë lehtësimi pozitive. E njëjta gjë mund të thuhet për Komitetin Organizator."
Zyrtarët e Olimpiadës së Tokios po përpiqen ta bindin botën se lojërat e shtyra olimpike verore mund të hapen në korrik të vitit të ardhshëm në kushtet e pandemisë.
Suksesi i një veprimtare gjimnastikore provë të zhvilluar fundjavën e kaluar në Tokio e rriti besimin se olimpiada mund të zhvillohet, pavarësisht nëse do të ketë apo jo një vaksinë deri në verën e ardhshme.
Veprimtaria u mbajt para disa mijëra tifozëve me 22 sportistë pjesëmarrës nga Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me tetë nga Japonia. (Artan)