Cristiano Ronaldo hyri në lojë nga stoli duke shënuar dygolësh pas rikthimit, ndërsa "Juventusi" u kthye në rrugën e fitores në "Serie A", duke mundur 4-1 "Spezia"-n të dielën.
Kampionët i dhanë fund vargut të tre barazimeve radhas, duke u ngjitur në vendin e tretë në "Serie A", katër pikë prapa kryesuesit, "Milan", i cili mundi "Udinezen" 2-1, falë një goli spektakolar në fund të ndeshjes nga Zlatan Ibrahimoviçi.
"Sassuolo" e kaloi "Juventusin", duke u ngjitur në vendin e dytë, dy pikë prapa "Milanit", pas një fitoreje 2-0 ndaj "Napolit", suksesi i tyre i parë në stadiumin "San Paolo".
Ronaldo zëvendësoi Paulo Dybala-n në minutën e 56-të, kur ndeshja në Çezena ishte në barazim 1-1, dhe arriti të tundë rrjetën vetëm tre minuta më vonë. Sulmuesi portugez shënoi golin e vet të dytë dhe të katërtin për "Juventusin" nga pika e bardhë 15 minuta para përfundimit. Ky ishte goli i tij i pestë në tre ndeshje të kampionatit këtë sezon.
"Cristiano është kthyer. Kjo është gjëja e rëndësishme," tha Ronaldo, i pakënaqur që nuk luajti në mesjavë, kur "Juventusi" u mund në Ligën e Kampionëve 2-0 nga "Barcelona" e Lionel Messit. "Unë u ndalova për një kohë të gjatë, edhe pse nuk kisha asnjë simptomë dhe ndihesha mirë. Sot u ktheva të bëj atë që më pëlqen, të luaj futboll."
Ronaldo doli pozitiv për COVID-19 për 19 ditë, pas një testimi kur ishte grumbulluar me kombëtaren e Portugalisë, duke mos luajtur në katër ndeshje.
Në Angli, Pierre-Emerick Aubameyang e ndëshkoi "Manchester United" në "Old Trafford", me një 11-metërsh që i dha fitoren 1-0 "Arsenalit", ndërsa Gareth Bale i siguroi fitoren 2-1 "Tottenham"-it me golin e vet të parë që prej rikthimit, në ndeshjen ndaj "Brighton"-it.
Aubameyang shënoi më në fund pas pesë ndeshjesh në kampionat, me një goditje nga pika e 11-metërshit në minutën e 69-të, pas ndërhyrjes së parregullt të Paul Pogba-s ndaj Hector Bellerin-it. Goli i kapitenit të tyre u dha "topçinjve" fitoren e parë në kampionat në "Old Trafford" që nga viti 2006.
"United" nuk ka arritur të fitojë asnjë nga katër ndeshjet e veta në kampionat këtë sezon, duke pësuar tri humbje, përfshirë edhe një rezultat poshtërues 6-1 kundër "Tottenham"-it. Është fillimi më i keq i "djajve të kuq" në një kampionat kombëtar që nga viti 1972-73, duke e lënë ekipin e Ole Gunnar Solskjaer-it vetëm gjashtë pikë mbi zonën e rënies nga kategoria, në vendin e 15-të.
"Spurs" u ngjit në vendin e dytë, ndërsa Bale erdhi nga stoli për të thyer vendosmërinë e "Brighton"-it në një përplasje të fortë në stadiumin "Tottenham Hotspur".
11-metërshi i shënuar në fillim të ndeshjes prej Harry Kane-t e çoi ekipin e Jose Mourinho-s përpara, ndërsa miqve iu mohua një i tillë pas një tërheqjeje ndaj Leandro Trossard-it nga Matt Doherty.
Paraqitja e mirë e "Brighton"-it u shpërblye 11 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, por Bale i dha fitoren "Tottenham"-it pas një goditje të topit me kokë 17 minuta para përfundimit të ndeshjes. (Artan)