Një gol në fillim të ndeshjes nga Ousmane Dembele dhe një 11-metërsh në fund i shënuar Lionel Messi i dhanë "Barcelonës" fitoren 2-0 ndaj "Juventusit" në Ligën e Kampioneve të mërkurën, ndërsa zëvendësuesi Marcus Rashford shënoi një tregolësh të shpejtë për "Manchester United", duke u dhënë "djajve të kuq" fitoren 5-0 ndaj "Leipzig"-ut të Gjermanisë.
Dembele shënoi në minutën e 14-të për "Barcelonën" e tronditur nga humbja e së shtunës brenda fushe me "Realin" e Madridit dhe nga dorëheqja e presidentit të klubit Josep Maria Bartomeu të martën.
"Juventusit", i cili luajti pa Cristiano Ronaldo-n e prekur nga COVID-19, iu anuluan dy gola të Alvaro Morata-s në pjesën e parë dhe një i tretë në të dytën, kur VAR-i tregoi që thembra e tij ishte në pozicion jashtë loje.
Problemet e "Juves" u shtuan pasi mbrojtësi Merih Demiral u përjashtua në minutën e 85-të, teksa Messi e vulosi rezultatin me një 11-metërsh në kohën shtesë. "Barcelona" vazhdon të jetë në krye të Grupit G me gjashtë pikë, dhe "Juventusi" ka tre.
Në përballjen tjetër, "Manchester United" mposhti "Leipzig"-un 5-0, falë edhe tre golave të Rashford-it të shënuar brenda më pak se 20 minutave në fund të ndeshjes.
"United" ka pikë gjashtë të plota nga dy ndeshjet e hapjes në grup. (Artan Goga)