Testimi i Cristiano Ronaldos për koronavirusin ka dalë përsëri pozitiv në prag të ndeshjes së Ligës së Kampioneve të "Juventusit" kundër rivales së vet të madhe, "Barcelonës" së Lionel Messi-t, sipas njoftimeve të mediave në Itali dhe Portugali.
Televizioni portugez TVI raportoi se Ronaldo "ka dalë përsëri pozitiv për COVID-19" pas një testimi të kryer nga "Juventusi". 35-vjeçari tani është në pritje të rezultatit të testimit të UEFA-s, që, nëse del gjithashtu pozitiv, do ta përjashtonte atë nga ndeshja në Torino.
Ronaldo doli për herë të parë pozitiv për COVID-19 dy javë më parë, ndërsa luante me Portugalinë, dhe ka qenë në vetizolim që nga kthimi në Itali. Sipas TVI-së, pesë herë fituesi i "Topit të artë" ka dalë 18 herë pozitiv.
Testi i Ronaldos duhej të dilte negativ, 24 orë para ndeshjes, që ai të lejohej të luante, sipas rregullave të UEFA-s.
Ronaldo, i cili nuk ka asnjë simptomë, ka humbur tre ndeshje, duke përfshirë fitoren e ekipit të tij 2-0 në Ligën e Kampioneve me "Dinamon" e Kievit javën e kaluar.
Ndeshja "Juventus-Barcelona" do të ishte përballja e parë midis Ronaldos dhe Messi-t që kur sulmuesi portugez u largua nga "Reali" i Madridit për te "Zonja e vjetër" në vitin 2018.
"Për 15 vjet, Messi dhe Ronaldo kanë bërë gjëra të mëdha. Për herë të parë do të jem përballë Messit si trajner dhe do ta trajtoj me respektin e madh që meriton," tha Andrea Pirlo. (Artan/Fani)