Presidenti i "Barcelonës" Josep Maria Bartomeu ka dhënë dorëheqjen përpara një votimi mosbesimi që pritej të mbahej muajin e ardhshëm, pasi mbi 20 000 tifozë nënshkruan një kërkesë peticioni që ai të largohej.
"Jam këtu për t'ju komunikuar dorëheqjen time dhe të të gjithë bordit. Ka qenë një vendim i mirëmenduar dhe i marrë me qetësi. Ka qenë një nder që i kam shërbyer këtij klubi dhe që kam mbajtur të gjitha përgjegjësitë e mia," u shpreh ai.
Edhe pjesa tjetër e bordit të drejtorëve dha dorëheqjen.
Bartomeu u përball me pakënaqësi në rritje vitin e fundit për shkak të rezultateve të dobëta të ekipit.
Ai fillimisht nuk pranoi të largohej të hënën, pas thirrjeve për dorëheqje lidhur me çështjen e Lionel Messit, që dorëzoi një kërkesë transferimi gjatë verës.
Bartomeu u përpoq ta bindte qeverinë katalonjase ta shtynte votimin e mosbesimit, për shkak të pandemisë së koronavirusit, por pa sukses. (Artan Goga/Fani)