NBA-ja, e cila zhvilloi një sezon të shkurtuar si shumë liga profesioniste në kushtet e pandemisë së COVID-19, pati 1.5 miliard dollarë më pak të ardhura sesa parashikonte sezonin e kaluar për shkak të pandemisë dhe faktorëve të tjerë, sipas një raporti të "Associated Press"-it.
Kampionati u mbyll më 11 mars, pastaj rinisi për të përfunduar një sezon të shkurtuar në kompleksin "ESPN Wide World of Sports" pranë Orlandos, ku "Lakers"-at e Los Anxhelesit ngritën trofeun pas një pritjeje 10-vjeçare.
Ky kufizim, me një kosto që vlerësohet prej 200 milionë dollarësh, ishte një nga faktorët që goditi NBA-në.
Mungesa e publikut gjatë ndeshjeve dhe moszhvillimi i të gjitha ndeshjeve të sezonit të rregullt po ashtu luajtën rol në tkurrjen financiare.
Bordi i Guvernatorëve të NBA-së është mbledhur për të diskutuar mbi datën e fillimit për sezonin 2020-2021, praninë e shikuesve dhe ndoshta një kalendar të shkurtuar, duke e filluar sezonin e ri para Krishtlindjeve.
Uebsajti "The Athletic" raportoi të premten se NBA-ja po shqyrton mundësinë për të nisur më 22 dhjetor dhe për një sezon të rregullt me 72 ndeshje, që do të mbarojë para fillimit të Lojërave Olimpike Verore të Tokios, të cilat janë shtyrë për në korrik të vitit të ardhshëm.