Frika më e madhe e "Liverpool"-it u bë realitet të dielën, pasi skanimet treguan se mbrojtësi i ekipit Virgil van Dijk ka marrë dëmtime në ligament në derbin e Merseyside-it.
Kapiteni holandez, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në sezonet fituese të "të kuqve", që nga ardhja nga "Southampton"-i në janarin e vitit 2018, u dëmtua nga një ndërhyrje e rëndë e portierit të "Evertonit" Jordan Pickford vetëm pesë minuta pas fillimit të takimit të tensionuar në "Goodison Park".
Van Dijk u zëvendësua dhe më vonë u dërgua në spital për një skanim, që zbuloi se ai duhej të operohej. Nuk dihet se sa kohë do të qëndrojë jashtë fushës, por dëmtime të tilla zgjasin për disa muaj, dhe ai madje mund të jetë i detyruar të mos luajë gjithë këtë sezon.
Natën e së dielës, Van Dijk tha në një postim në "Instagram": “Tani po përpiqem të përqendrohen në shërimin tim dhe do të bëj gjithçka për t’u kthyer sa më shpejt. Besoj se në futboll, ashtu si edhe në jetë, gjithçka ndodh për një arsye, dhe është shumë e rëndësishme të përpiqem të ruaj qetësinë, sa herë kaloj nëpër ulje-ngritje”(Li Huailiang/Artan)