Numri një i botës Novak Xhokoviç thotë se nuk mund të garantojë se nuk do të bëjë një gabim të ngjashëm me atë që çoi në skualifikimin e tij nga turneu i tenisit "US Open", por është i sigurt se kjo nuk do të ndikojë në lojën e tij në të ardhmen.
Kjo ishte hera e parë që 17 herë fituesi i "Grand Slam"-it foli para mediave që nga largimi i tij nga turneu një javë më parë.
Serbi u skualifikua në raundin e katërt në Nju-Jork, kur pas humbjes së shërbimit në setin e parë përballë spanjollit Pablo Carreno Busta, goditi me top një vijërojtëse në fyt, duke bërë që ajo të binte në tokë.
Xhokoviçi, i cili tashmë ka kërkuar falje për incidentin, tha se i telefonoi vijërojtëses për ta pyetur për shëndetin.
"Nuk mund të premtoj ose të garantoj se nuk do të bëj kurrë diçka të ngjashme në jetën time," tha ai në një konferencë shtypi në "Italian Open" të hënën. "Do ta shoh këtë sa më thellë që të jetë e mundur si një mësim i madh për mua."
Pas incidentit, organizatorët e turneut konfirmuan se Xhokoviçi u gjobit me 250 000 dollarë amerikanë, vlera e parave të fituara prej tij për arritjen në raundin e katërt. 33-vjeçari po ashtu u gjobit me 10 000 dollarë shtesë për sjellje josportive. (Artan Goga)