Sezoni 2020-'21 i "Ligue 1" në Francë duket se nuk ka nisur mirë për kampionët e "Paris Saint-Germain". Shtatë lojtarë të tij dolën pozitivë për COVID-19, pastaj ekipi humbi 1-0 me "Lensin" në ndeshjen e hapjes së sezonit, ndërsa tani vjen lajmi se Kylian Mbappe dëshiron të largohet pas këtij sezoni për në "La Liga" ose "Premier League", sipas "The Times".
Në vitin 2017, PSG e mori 19-vjeçarin e atëhershëm Mbappe nga "Monaco" - së pari në huazim dhe më pas përmes transferimit - dhe shpenzoi gjithsej 180 milionë euro për gjeniun e ri. Kjo ishte shuma e dytë më e madhe e transferimit në botën e futbollit, vetëm pas 220 milionë eurove të paguara nga PSG-ja për marrjen e Neymar-it nga "Barcelona".
Në tre sezonet në vijim, Mbappe luajti 105 herë për klubin e njohur francez dhe shënoi 77 gola. Shpejtësia e tij dhe depërtimi i mprehtë u bë një nga armët më të fuqishme sulmuese të PSG-së. Mbappe fitoi tre tituj të "Ligue 1" dhe dy Kupa të Francës me PSG-në. Në vitin 2018, ai fitoi titullin e Kupës së Botës të FIFA-s me Francën. Në gusht, PSG-ja arriti për herë të parë në historinë e vet në finalen e Ligës së Kampioneve të UEFA-s, por humbi 1-0 me "Bajernin" e Mynihut.
Kontrata e tanishme e Mbappe-së me PSG-në zgjat deri në vitin 2022. Si "Barcelona", edhe "Reali" i Madridit janë përpjekur ta bëjnë të tyrin gjeniun e ri, por PSG-ja dhe Mbappe i kanë hedhur poshtë ofertat e gjigantëve spanjolle më shumë se një herë.
Sidoqoftë, duket se Mbappe më në fund ka ndryshuar mendim, por ka thënë se kushdo që e do atë, duhet t'u paguajë një kompensim të majmë francezëve.
Nëse "Reali" arrin ta marrë asin 20-vjeçar, kjo do të ishte një goditje e madhe për rivalen e vet të përjetshme, "Barcelonën". Por, në rast se Mbappe largohet, mund të jetë edhe më e vështirë për PSG-në që ta mbajë Neymar-in. Në qoftë se braziliani shkon te katalonjasit, të dy mund të bëjnë rivalitetin tjetër më të madh në 10 vjetët e ardhshëm, pas atij Messi - C. Ronaldo.