Në "US Open", pretendenti kryesor Novak Xhokoviç përmbysi disavantazhin, duke mposhtur Kyle Edmund-in dhe duke kaluar në raundin e dytë.

Edmund fitoi papritur setin e parë me gejm shtesë, por Xhokoviçi u kthye në nivelin që e ka bërë të jetë i pamposhtur këtë vit dhe fitoi tre sete radhazi.

Ndërkohë, Alexander Zverevit iu deshën gati tre orë për të kaluar në raundin e tretë, duke arritur edhe ai një fitore me katër sete ndaj adoleshentit amerikan Brandon Nakashima.

Për sa u përket ndeshjeve të femrave, pati disa largime që bien në sy.

Karolina Pliskova u eliminua papritur në raundin e dytë pas një humbjeje 3-0 me Caroline Garcia-n.

Venus Williams humbi ndeshjen e vet të hapjes në "US Open" për herë të parë në karrierën e saj të gjatë, pasi u mund nga Karolina Muchova 6-3, 7-5.

Por 40-vjeçarja, tenistja më e vjetër në turne, thotë se është e kënaqur me paraqitjen e vet:

"Të jem e sinqertë, jam vërtet e kënaqur me lojën time dhe nuk mendoj se luajta keq sonte. Thjesht duhej të filloja më shpejt sesa fillova. Por jam shumë e lumtur për mënyrën se si luajta. Ajo (Muchova) thjesht luajti pak më mirë".

Tre herë kampionia Kim Clijsters po ashtu u mund në raundin e parë nga Ekaterina Alexandrova 3-0.

37-vjeçarja Clijsters luajti ndeshjen e saj të parë në një turne të "Grand Slam"-it në tetë vjet, pas rikthimit sivjet nga tërheqja e dytë prej tenisit.