Mesfushori kroat Ivan Rakitiç ka shkuar përsëri te "Sevilja" nga "Barcelona", me një kontratë 4-vjeçare.
Rakitiçi luajti gjashtë vjet me "Seviljen", duke ngritur trofeun e Ligës së Europës si kapiten në vitin 2014.
32-vjeçari u largua nga "Sevilja" po atë vit, duke kaluar te katalonjasit, me të cilët fitoi 16 trofe, përfshirë Ligën e Kampioneve dhe katër tituj të "La Ligas" spanjolle.
Mbrojtësi i "Seviljes" Jesus Navas thotë se kthimi i Rakitiçit është një përforcim i mirë për ekipin.
"Është një lajm i mrekullueshëm. Një futbollist e njeri i shkëlqyer, që na ka dhënë shumë, ashtu si edhe 'Barcelonës'. Ai ka cilësi të shkëlqyera që mund t'i përdorim shumë mirë, sepse është një futbollist i madh dhe mund të na ndihmojë," tha Navasi.
Para se të shkonte te "Sevilja", u njoftua se Rakitiçit nuk do t'i ofrohej një kontratë e re te "Barça" pas mbërritjes së trajnerit të ri Ronald Koeman. (Artan Goga)