"Sevilja" përmbysi rezultatin, duke mposhtur "Manchester United" 2-1 dhe duke arritur në finalen e Ligës së Europës në futboll.
"United" dështoi në gjysmëfinalen e tretë këtë sezon, pavarësisht se mori kryesimin kur Bruno Fernandes shënoi me një 11-metërsh. "Sevilja" barazoi para përundimit të pjesës së parë me Suso-n.
Anglezët humbën një numër rastesh në fillim të pjesës së dytë dhe u ndëshkuan nga Luuk de Jong-u, që shënoi për "Seviljen" 12 minuta para përfundimit të ndeshjes.
"Manchester United" humbi kështu mundësinë e fundit për të fituar një titull në këtë sezon. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer u shpreh:
"Është shumë zhgënjyese. Mendoj se jemi të gjithë ... jo të dërrmuar, por kjo është një nga ato goditjet e rënda, sepse mendon se në disa çaste ke bërë një lojë fantastike, ke krijuar mundësi të mira dhe thjesht nuk ke arritur të bësh golin, që mendoj se e meritonim në disa raste. Në momente të ndryshme të lojës mendoj ne ishim absolutisht të shkëlqyer."
"Sevilja" i ka fituar të pesta finalet e Ligës së Europës ku ka dalë. Në finalen e sivjetshme ajo do të përballet me fituesin e çiftit "Inter"- "Shakhtar" i Donetskut. (Artan Goga)