Pjesëmarrësit në Konferencën e Sigurisë Kibernetike të Pekinit 2020 janë në kërkim të mënyrave për të zvogëluar rrezikun për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022.
Një nga temat kryesore të veprimtarisë është mbrojtja e sigurisë në internet gjatë Olimpiadës dhe Paralimpiadës Dimërore të Pekinit.
Ekspertët që marrin pjesë në konferencë kanë propozuar krijimin e gjashtë sistemeve kryesore për të mbrojtur olimpiadat nga sulmet kibernetike. Rreziqet e mundshme përfshijnë sulmet në postën elektronike, uebsajtet e shitjes së biletave të rreme dhe mashtrimet me kartat e kreditit.
Jiang Hu është një nënkryetar i firmës kineze të sigurisë "Qi'anxin Group", një sponsor zyrtar që do të ofrojë zgjidhje softuerësh të sigurisë kibernetike dhe antivirus për Lojërat Olimpike Dimërore 2022.
Ai thotë se punonjësit e kompanisë janë duke punuar për të ndihmuar në integrimin e sistemeve të sigurisë në internet me vendet dhe objektet ku do të zhvillohen olimpiadat:
"Ne kemi vendosur mbi 100 ekspertë nga kompania jonë, më shumë se 20 prej të cilëve në komitetin organizator të Lojërave Olimpike Dimërore. Ekspertët do të bëjnë hulumtime të thelluara për projektet teknologjike të mbrojtjes nga sulmet kibernetike. Plani ynë paraprak është që t'i vlerësojmë dhe shqyrtojmë këto projekte në shtator ose tetor".
"Qi'anxin" ka ofruar zgjidhje të përshtatshme për sigurinë në internet për Pekin 2022 që nga fundi i vitit të kaluar.
Kryetari i "Qi'anxin Group" Qi Xiangdong thotë se kompania do të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi mbrojtës që do të ruajë sigurinë kibernetike në disa aspekte:
"Ne do të bëjmë menaxhimin dhe kontrollin në një mënyrë gjithëpërfshirëse për të garantuar që siguria në internet të mbrohet në të gjitha pjesët e rrjetit. Ne gjithashtu do ta operojmë sistemin në të gjitha rrethanat dhe të gjitha degët e sistemit do të bashkërendohen. Kjo do të tregojë vendosmërinë dhe besimin tonë për të mbrojtur sigurinë në internet, si dhe të japë përvojë për qytetet e tjera që do të organizojnë Lojërat Olimpike në të ardhmen."