Në Ligën e Europës në futboll, "Wanderers"-i i Wolverhampton-it i mbijetoi një nate të vështirë në Greqi, duke arritur për herë të parë në 48 vjet në çerekfinalen e një veprimtarie evropiane.
Ata ruajtën golin e shënuar në fillim të ndeshjes me 11-metërsh nga Raul Jimenez, i cili u siguroi fitoren me rezultatin e përgjithshëm 2-1 ndaj "Olimpiakosit".
"Bayer" i Leverkusenit mundi skocezët e "Rangers"-it 1-0, ndërkohë që edhe në ndeshjen e parë kishte triumfuar 3-1.
Kundërshtari i ardhshëm i gjermanëve në çerekfinale do të jetë "Interi".
Ndërkohë, ekipi zviceran i "Bazelit" arriti një fitore të përgjithshme 4-0 kundër "Eintracht"-it të Frankfurtit.
"Sevilja" mundi "Romën" 2-0 në një ndeshje të vetme dhe do të përballet me "ujqit" e "Wanderers"-it në çerekfinale. (Artan Goga)