Klubet e futbollit të kategorisë së parë dhe asaj të dytë në Gjermani janë të gatshme të lejojnë disa tifozë të kthehen në stadiume në sezonin e ardhshëm, nëse autoritetet hapin dritën e gjelbër në fund të këtij muaji.
Kryezyrtari i Bundesligës Christian Seifert tha se lejimi i tifozëve në stadiume varet vetëm nga udhëheqësit politikë, por vuri në dukje se kjo duhet të bëhet hap pas hapi.
Ai shtoi që, në qoftë se tifozët do të lejohen në stadiume, nuk do të ketë mbështetës të skuadrave udhëtuese të paktën deri në fund të vitit.
Sezoni i ri i Bundesligës fillon më 18 shtator.
Qeveria gjermane ka ndaluar të gjitha veprimtaritë me grumbullime të mëdha deri më 31 tetor.