Kampioni i “Premier League”-s, “Liverpuli” ka konfirmuar se mesfushori Adam Lallana dhe mbrojtësi Dejan Lovren do të largohen nga klubi.
Lallana nënshkroi një kontratë trevjeçare me skuadrën e “Premier League”-s, “Brighton”.
32-vjeçari thotë se do ta përdorë përvojën e tij te “të kuqtë” për të ndihmuar lojtarët e rinj në ekipin ku do të shkojë:
"Jam mjaft me fat që gjatë karrierës sime, dhe veçanërisht në gjashtë vjetët e fundit, kam luajtur në kampionate të rëndësishme ndërkombëtare. Kështu që kam pasur fatin të mbledh shumë përvojë dhe mund të ndihmoj në njëfarë mënyre, veçanërisht djemtë më të rinj, dhe t’i drejtoj ata.''
Ndërkohë, Lovren-i ka nënshkruar një kontratë me vlerë 14 milionë dollarë me ekipin rus “Zenit” të Shën-Petërburgut, duke u dhënë fund edhe ai gjashtë vjetëve të kaluara në “Anfield”. (Artan Goga)