Organizatorët e Lojërave Olimpike të Tokios kanë zhvilluar një ceremoni të shkurtër dhe solemne të enjten, me rastin e mbetjes edhe një vit nga fillimi i lojërave të shtyra për në korrik të ardhshëm.
Ndryshe nga ceremonia e një viti më parë me fishekzjarrë në Gjirin e Tokios, ceremonia e sivjetshme zgjati vetëm 15 minuta dhe përfundoi me një video promovimi për hapjen e lojërave vitin e ardhshëm.
Disa objekte në Tokio u zbukuruan me drita me ngjyrat olimpike, për të kremtuar numërimin mbrapsht të një viti nga fillimi i lojërave olimpike.
Në një sondazh nga agjencia e lajmeve “Kyodo”, më pak se 25 % e të pyeturve ishin për zhvillimin e lojërave në vitin 2021, ndërsa afro 70 % mendonin që lojërat duhet të shtyhen sërish ose të anulohen.