Trajneri i “Manchester City”-t Pep Guardiola thotë se skuadra e tij e meriton një falje, pas rrëzimit të vendimit për një ndalim dyvjeçar nga futbolli evropian.
Guardiola u shpreh se emri i klubit ishte dëmtuar nga akuzat se kishte thyer rregullat e Lojës së Ndershme Financiare:
"Nëse çështja ka të bëjë me paratë, ndoshta, por Jose dhe të gjithë trajnerët duhet ta dinë që ne u dëmtuam. Duhet të na kërkojnë falje. Ne nuk presim që të na mbrojnë ‘Liverpool’-i, ‘Tottenham’-i, ‘Arsenali’, ‘Chelsea’ ose ndonjë klub tjetër, por ne mund të mbrojmë veten."
Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit për Sportin për të hequr ndalimin e “City”-t hasi në kritika nga trajnerët e tjerë të “Premier League”-s.
Trajneri i “Liverpool”-it Jurgen Klopp thotë se rregullat e Lojës së Ndershme Financiare të UEFA-s janë një model i mirë, por vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit për Sportin ishte i dëmshëm:
"Jam i lumtur që ‘City’ mund të luajë në ‘Champions League’, por të jem i sinqertë, nuk mendoj se ishte një ditë e mirë për futbollin dje. Sepse mendoj se Loja e Ndershme Financiare është një ide e mirë. Ishte ideja në fillim që askush të mos shpenzonte me tepri dhe gjëra si këto. Unë jam nga Gjermania dhe jam edukuar në një sistem krejtësisht të ndryshëm.''
Trajneri i “Tottenham”-it Jose Mourinho e ka quajtur gjithashtu të turpshëm kthimin e vendimit për ndalimin e “City”-t.