“Barcelona” i mbajti gjallë shpresat për të fituar titullin e “La Ligës” me një fitore 1-0 ndaj “Espanjolit”.
 
Fitorja e “Barçës” gjithashtu goditi shpresat e rivalit të vet nga i njëjti qytet, pasi “Espanjoli” qëndron në fund të tabelës, 11 pikë larg zonës së sigurisë, kur kanë mbetur vetëm tre ndeshje.
 
Sulmuesi kinez Wu Lei u fut në lojë në minutat e fundit, por nuk arriti të sillte ndonjë ndryshim.
 
Luis Suarezi shënoi golin e vetëm të ndeshjes për “Barçën”, që është një pikë prapa kryesuesit, “Realit” të Madridit.
 
Në Angli, “Liverpuli” vazhdon rrugën drejt rekordit të pikëve në “Premier Ligë”, pas një fitoreje 3-1 ndaj “Brajtonit”.
 
“Liverpuli” ka tani 92 pikë, tetë më pak se rekordi i “Manchester City”-t.
 
Ndërkohë “City” u rikthye fitores, duke mposhtur “Njukasëllin” 5-0.
 
Në Itali, “Roma” i dha fund vargut të humbjeve, tre të tilla rresht, pas një fitoreje të vështirë 2-1 ndaj “Parmës”.
 
“Atalanta” i rriti mundësitë për një rikthim në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, me një fitore 2-0 ndaj “Sampdorias”. (Artan Goga)