Në "La Liga", "Reali" i Madridit e ruajti ritmin me "Barcelonën" në garën për titull, pas një fitoreje pa vështirësi ndaj "Valencias".
Pas pjesës së parë të ekuilibruar, "Reali" shënoi tre gola, duke e ngushtuar epërsinë e "Barças" në krye në vetëm dy pikë.
Karim Benzema e tundi dy herë rrjetën, duke u bërë golashënuesi i pestë më i mirë në historinë e "Realit". 32-vjeçari ka shënuar 243 gola në të gjitha ndeshjet për "Realin", duke kaluar edhe legjendën e "të bardhëve", Ferenc Pushkashin.
Marco Asensio u rikthye pas 11 muajsh jashtë fushe për shkak të një dëmtimi në gju.
Ai u fut në lojë si zëvendësues dhe shënoi golin e dytë të "Realit" me prekjen e parë të topit. (Artan Goga)