"Bajerni" i Mynihut hodhi një hap të madh për mbrojtjen e titullit kampion i "Bundesligës", duke mundur 1-0 vendin e dytë të renditjes, "Borusian" e Dortmundit, në një ndeshje që mund të jetë përcaktuese për titullin.
Joshua Kimmich shënoi nga një goditje e shkëlqyer jashtë zonës së rreptësisë, duke i dhënë epërsinë "Bajernit" pak para përfundimit të pjesës së parë.
Robert Lewandowski gati dyfishoi epërsinë për bavarezët, por topi goditi shtyllën.
Sulmuesi i "Bajernit" Thomas Muller tha se fitorja është një hap i madh drejt titullit të tetë radhazi të tyre në "Bundesligë":
''Të dy ekipet punuan shumë dhe pas golit të bukur nga Joshua ne u përpoqëm shumë të mbrohemi. E kemi thënë shpesh që nga e shtuna e deri tani se kjo ishte ndoshta ndeshja më e rëndësishme në javët e ardhshme e mbase vendimtare, dhe ne e fituam. Është një ndjenjë e shkëlqyeshme dhe duhet të ecim përpara, por mendoj se gjërat për ne tani duken më mirë se më parë".
"Bajerni" është shtatë pikë përpara "Borusias", kur kanë mbetur edhe gjashtë javë.