Në "Bundesligën" gjermane, "Bajerni" i Mynihut do të luajë sot me "Borusian" e Dortmundit në fushën e kësaj të fundit, një takim që mund të përcaktojë fituesin e titullit kampion të sezonit.

"Bajerni" kryeson renditjen, katër pikë para "Borusias", kur kanë mbetur vetëm shtatë javë.

Bavarezët e kanë fituar thellë takimin e fundit mes të dy ekipeve, 5-0, por trajneri Hans Flick thotë se kjo fitore tashmë i përket historisë:

"Unë nuk komentoj statistikat. Në fund të fundit, çdo lojë është një lojë e re. Kushtet janë pak më të ndryshme nga ato të ndeshjes së parë në Mynih, ku fituam. Ata kanë një skuadër tjetër, kanë shtuar dy lojtarë të rëndësishëm, janë shumë të qëndrueshëm si ekip dhe kanë besim, kjo është e qartë."

"Bajerni" do t'i kushtojë vëmendje sidomos sulmuesit Erling Haaland, i cili u bë pjesë e "Borusias" në janar, por ka shënuar 10 gola në 10 ndeshje.

Sulmuesi norvegjez thotë se do të bëjë pjesën e vet për ta ndihmuar skuadrën të marrë pikë.